VIDEO/ Taksa ndaj Serbisë/ Si e ka dredhur Rama 3 herë në 2 muaj

Qëndrimi I pazakontë I Tiranës zyrtare lidhur me çështjen e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë po e vendos në një pozitë të vështirë kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit ka zgjedhur të mbajë një pozicion të paprecedentë, duke u mjaftuar me deklaratën ““Mbështesim çdo zgjidhje që miratohet nga SHBA dhe BE”.

Kryeministri shqiptar, i cili është pro planit Thaçi-Vuçiç për ndarjen e Kosovës, po mban një qëndrim të dyfishtë publik, shkruan në një analizë të saj portali Lapsi.

Nga njëra anë, ashtu sikurse raportonte në një shkrim të tij Karl Bild, ai nuk ishte kundër një marrëveshjeje me ndryshim kufijsh, ndërsa në një takim zyrtar në prill 2018 në Berlin, ai i ka pohuar Angela Merkel se kjo është një çmenduri.

Këtë ambiguitet e vërteton edhe fakti se ai mbajti që nga gushti deri në dhjetor si ministër të jashtëm Ditmir Bushatin, i cili pati deklaruar se ndryshimi i kufijve është një hapje e kutisë së Pandorës për Ballkanin. Kur u pyet për këtë mosrakordim nga gazetari Andi Bejtja në emisionin “Opinion” në shtator 2018, Rama mbeti pa përgjigje.

Në të njëjtën vorbull të qëndrimeve flu është futur kryeministri edhe për sa i përket pozicionit që duhet të marrë ndaj taksës 100% për produktet serbe në Kosovë, që u vendos nga qeveria Haradinaj. Në deklaratat që Lapsi.al ka qëmtuar, shihen lehtësisht luhatje të forta.

Fillimisht, sapo taksa hyri në fuqi, ish ministri i Financave, Arben Ahmetaj, e goditi atë.

Nuk kaloi shumë kohë dhe Rama organizoi një tubim politiko folklorik në Pejë, ku ai e mbështeti 100%, taksën 100 përqindëshe. “Eshtë gjëja më normale në kushtet anormale që ka vendosur Serbia”, tha ai duke e quajtur atë një taksë të drejtë .



Edhe më pas, në një takim bilateral me homologun e tij kroat, Rama e mbështeti taksën e vendosur nga qeveria Haradinaj duke e quajtur atë si një klithmë politike që ka nevojë të dëgjohet.

Me pak fjalë, kryeministri Rama ka ndryshuar tre herë mendim brenda një muaji lidhur me çështjen e nxehtë të taksës ndaj produkteve serbe në Kosovë, çka e vendos Shqipërinë dhe mbi të gjitha kryeministrin e saj në një pozitë tejet qesharake.