Skandalet seksuale të Policisë, shkodranët në protestë përpara komisariatit

Brenda pak ditëve në qytetin e Shkodrës kanë ndodhur disa skandale seksuale, me protagonistë punonjës të policisë. Por sipas qytetarëve këto janë vetëm raste e bëra publike, sepse ka shumë të tjera të cilat mbulohen nga uniformat blu të këtij qyteti.

Kjo situatë ka bërë që paraditen e sotme, dhjetëra qytetarë kanë dalë në protestë dhe janë grumbulluar përpara komisariatit të Shkodrës, me thirrjet; ndal dhunës dhe përdhunimeve. Protestuesit mbanin në duar pankarta dhe parrulla dhe më pas janë ulur përdhe në sheshin përpara godinës së policisë, duke kënduar.

Pas efektivit të Gruemirës i cili u denoncua nëpërmjet një video skandaloze drejtuar një vajze të mitur, ditën e djeshme sipas studentëve të Fakultetit të Juridikut, një efektiv i veshur civil dhe me armën e shërbimit ka hyrë në mjediset e godinës së Juridikut, ka ngacmuar studenten dhe pedagogen. Por kanë qenë vetë studentët të cilët e kanë bllokua brenda tualeteve efektivin, deri sa kanë mbërritur kolegët e tij të cilët e kanë shoqëruar në komisariat.