Tre ditë pas vendimit për Dajtin/ Reagon qeveria me Gjonajn e Lleshin

Tre ditë pas vendimit të Gjykatës së  Apelit që dënon me 25 vite burg Dritan Dajtin, qeveria është kujtuar të reagojë.

E ky reagim duket se është i gjithë një shfaqje e shëmtuar, pasi heshtën për tre ditë dhe vetëm kur gjithçka u përfundua pa kthim, dy ministrat e zënë ngushte nga reagimi qytetar bënë sikur reaguan me shqetësim për vendimin e dhënë.

Në dy deklarata njëra pas tjetrës, ministrja e Drejtësisë dhe ai i Brendshëm kanë reaguar kundër gjyqtarëve që shpallën vendimin për Dajtin, i akuzuar për vrasjen e 4 punonjësve të policisë në vitin 2009.

‘Prej 48 orëve kemi punuar intensivisht për të adresuar një skandal të papranueshëm të përmasave të tilla të patolerueshme të gjyqtarëve që kanë dhënë vendimin tërësisht në kundërshtim me ligjin për personin e akuzuar për vrasjen e 4 policëve.

Duke ndarë me publikun revoltën legjitime të çdo qytetari përballë këtij lajmi të shëmtuar që vjen nga segmente të drejtësisë ku ende nuk ka arritur procesi i vettingut, dua t’i siguroj të gjithëve që jo vetëm nuk mund të pajtohemi kurrë me faktin e kryer në këtë rast por do të ndjekim të gjitha hapat me mjetet ligjore që jeta e 4 dëshmorëve të atdheut të peshohet në kandarin e korrupsionit të mungesës totale të integritetit dhe profesionalizmit të disa gjyqtarëve të cilët nuk meritojnë asgjë tjetër përveçse përbuzjes të çdo qytetari të ndershëm.

Vendimi është në kundërshtim me çdo standard të procesit penal dhe rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm, në dhënien e lirisë së elementëve kriminalë’, tha ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Ndërsa për ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshi, ‘48 orët e fundit kanë qenë orë të përjetimeve të rënda për familjarët e oficerëve të rënë në krye të detyrës më 7 gusht të vitit 2009, për Policinë e Shtetit dhe për gjithë qytetarët shqiptarë, si pasojë e një vendimi kriminal të disa gjyqtarëve që meritojnë plotësisht t’u bashkohen prapa hekurave klientëve të tyre’.

‘Kam pritur këto 48 orë sa të sigurohesha që ky krim i njerëzve me imunitet ligjor dhe kushtetues të mos kishte si përgjigje vetëm një deklaratë publike, por edhe një reagim të fortë e të vendosur si dhe një proces të qartë ligjor’, deklaroi Sandër Lleshi nga Ministria e Brendshme.