VIDEO/ Bale bëri gjestin ofendues ndaj tifozëve të Atleticos, pritet dënimi

Derbi i Madridit i ka takuar Real Madrid që mposhti 3-1 Atleticon në ndeshjen e vlefshme për javën e 23-të të La Ligas.

Ishte pikërisht uellsiani Gareth Bale ai që vulosi fitoren e Real Madrid kur në minutën e 73’ shënoi golin që fiksoi rezultatin në shifrat 1-3.

Një shërbim perfekt nga Modric ka qenë i mjaftueshëm për uellsianin që të mposhtë në diagonale portierin kundërshtar Oblak.

Për të festuar golin e tij në derbi, sulmuesi i Real Madrid iu drejtua këndit ku ishin të akomoduar tifozët kundërshtarë, duke lëvizur duart e tij, për të finalizuar me një shenjë ofenduese.

“Të gjitha këto lloj gjestesh në kampionat do të hetohen dhe VAR do të përdoret. Nuk mund të bësh shenjën e krahut ndaj askujt”, deklaroi Eduardo Iturralde Gonzalez, ish-arbitri që paralajmëroi një dënim të mundshëm ndaj Bale.