Uashington/ Ilir Meta vlerëson dy futbollistët e shquar të Kombëtares, Dinella dhe Gjinali

Presidenti Ilir Meta vlerëson ish-futbollistët e shquar shqiptarë të ekipit Kombëtar: Koço Dinella dhe Frederik Gjinali.

Në një ceremoni të veçantë të zhvilluar sot në Ambasadën e Shqipërisë në Uashington, Meta shprehu mirënjohjen dhe respektin për kontributet e jashtëzakonshme që këto dy figura i kanë dhuruar shqiptarëve.

Presidenti Meta i dorëzoi zotit Koço Dinellas, Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Për talentin e spikatur dhe kontributin e vyer në lojën e futbollit, duke dëshmuar cilësi të rralla si portier i shkëlqyer në ekipin ‘Skënderbeu’ dhe atë Kombëtar; për përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në arenën  ndërkombëtare”.

Ndërsa Frederik Gjinali u vlerësua nga Presidenti Meta me Titullin “Mjeshtër i Madh”: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e çmuar në arritjet e skuadrës së futbollit ‘Dinamo’, si dhe përfaqësimin dinjitoz me Ekipin Kombëtar Shqiptar, veçanërisht me rezultatin në ndeshjen me Gjermaninë (1967)”.

“Kisha privilegjin të nderoj dy figura të shquara të historisë së futbollit shqiptar dhe të ekipit kombëtar: portierin e pamposhtur Koço Dinella dhe mbrojtësin e pakalueshëm Frederik Gjinali”, shkroi Meta në rrjetin social ‘Facebook’.

Dy ikona ishin përcaktuese në barazimin historik 0-0 të 17 dhjetorit 1967 që eliminoi kampionen e botës Gjermaninë. Dinella, që mbrojti të paprekur portën e Shqipërisë dhe Gjinali, autor i një goli të mohuar!