Vrsaljko mbyll kontratën me Interin, ‘ylli’ shqiptar zëvendëson kroatin

Aventura e kroatit Sime Vrsaljko me Interin ka përfunduar tashmë, pasi mbrojtësi do t’i nënshtrohet një operacioni, për t’u rikthyer më pas te Atletico e Madridit, skuadër që zotëron kartonin e futbollistit.

Zikaltrit janë hedhur menjëherë në kërkim të një zëvendësuesi, ndërsa në janar kanë afruar në huazim mbrojtësin portugez Cedric Soares, i cili do të jetë pjesë e Interit deri në fund të sezonit, kohë gjatë të cilës do të duhet të bindë Spallettin për aftësitë e tij.

Gjithsesi Marotta dhe Ausilio nuk duan të gjenden të papërgatitur dhe sipas raportimeve të mediave pranë klubit zikaltër, kanë pasur një takim me menaxherin e Elseid Hysajt, Mario Giuffredi.

Zikaltrit kanë diskutuar me këtë të fundit mundësinë për të transferuar mbrojtësin shkodran në Milano, duke filluar që nga muaji qershor, por Marotta i ka bërë të qartë Giuffredit, se Interi nuk është i predispozuar për të paguar klauzolën dhe se do të ulej në tryezë, vetëm nëse De Laurentis do të ishte i hapur për ulje të çmimit.