Rakitic ndjen presionin e De Jong, lë Barcelonën për Interin

Ivan Raktic tek Interi nuk është thjesht më një hipotezë. Edhe pse mesfushori kroat ka deklaruar publikisht se dëshiron të rinovojë kontratën aktuale me Barcelonën, e ardhmja e tij mund të jetë në Milano me ngjyrat zikaltër.

Ky lajm i bujshëm është botuar sot në faqen e parë të “La Gazzetta dello Sport”.

Sipas gazetës milaneze, nënkampioni i Botës i ka kërkuar klubit katalanas për ta transferuar atë.

“Ai dëshiron të largohet nga Barcelona dhe po mendon për zikaltrit”, shkruhet në faqe të parë të prestigjiozes sportive italiane.

Rakitic ka frikë se ardhja e De Jong dhe nënshkrimi hipotetik me Adrian Rabiot do ta nxirrte atë jashtë loje në “Camp Nou”.

Kjo media italiane, gjithashtu, zbulon edhe shifra të operacionit: Interi synon ta reduktojë në 30 milionë euro klauzolën prej 120 milionë eurosh, që e lidh Rakitic me Barcelonën dhe është gati t’i ofrojë lojtarit një pagë prej 5 milionë euro në sezon, shumë e ngjashme me atë që merr në Katalonjë.

Në kundërshtim me këtë informacion, Rakitic ka shprehur në javët e fundit dëshirën e tij për ta zgjatur kontratën aktuale me Barcelonën, përtej qershorit 2021.

Më 28 janar, në një ceremoni, tha për “Mundo Deportivo”: “Unë dua të qëndroj këtu dhe, në qoftë se mund të rinovoj, shpresoj për sa më gjatë. Jam shumë i lumtur këtu dhe të gjithë e dinë, presidenti i pari. Unë jam 30 vjeç, në momentin më të mirë të karrierës. Dua ta shijoj futbollin me Barcelonën”.

Këtë javë, agjenti i tij e përshkroi në Itali largimin e Rakitic si “një skenar të pamundur”.