VIDEO/ 100 studentë firmosin për grevë urie, njerëz misteriozë kërcënojnë vajzat protestuese

Gazetari i SYRI.net, Ermal Rizaj, ka arritur të hyjë sot dhe të intervistojë, studentët protestues që janë ngujuar brenda Fakultetit të Drejtësisë.

Njera prej drejtueseve të protestës, që bashkë me shokët vazhdon të qëndrojë prej mëse një muaji brenda Fakultetit, deklaroi se po diskutohet përshkallëzimi i protestës deri në grevë urie.

Deri tani kanë firmosur listat, 50 studentë të Juridikut në Tiranë për të hyrë në grevë, ndërsa në të gjithë Shqipërinë janë bërë mbi 100.

Një tjetër i ri protestues bëri të ditur për Syri.net se ata po kërcënohen gjatë gjithë kësaj periudhe, por më së shumti po kërcënohen vajzat në numrat e tyre të telefonave; madje, jashtë, ka kërcënime edhe ndalime në rrugë nga njerëz të panjohur.

I riu tha se ndryshimi i godinës ku bëhet mësimi është një formë tjetër kërcënimi, sepse atje ku po zhvillohet mësimi, po merren mungesa.

I pyetur nga Rizaj, "pse këtu ku keni ngritur tryeza e karriget e keni quajtur “Holli i barrikadave”, studenti protestues tha: "Po, është një formë simbolike e grevës në Fakultetin e Drejtësisë, që në fakt është fakulteti i Padrejtësive dhe këtu më shumti duhej reaguar ndaj atij ligji të Arsimit të Lartë."