Parma i vjedh barazimin Juventusit, Ronaldo shënon dopietën

Parma i ka marrë një pikë Juventusit në ndeshjen e vlefshme për javën e 22-të në Serie A.

Në minutën e 93’ ishte gafa e mbrojtjes së “Zonjës së Vjetër” që lejoi Parmën të barazonte rezultatin në 3-3 dhe të merrte një pikë.

Serinë e golave në këtë takim e hapi një prej më të mirëve në historinë e futbollit, Cristiano Ronaldo, i cili realizoi në minutën e 36’ të takimit.

Në pjesën e dytë u realizuan edhe katër gola të tjerë.

Ishte Daniele Rugani i cili fillimisht dyfishoi avantazhin e bardhezinjve, kur në minutën e 62’ realizoi një gol të bukur.

Vetëm dy minuta më vonë ishte Antonino Barilla i cili ngushtoi rezultatin në 2-1, por, përsëri pas dy minutave, Cristiano Ronaldo shënoi golin e dytë personal.

Parma nuk u dorëzua dhe arriti që edhe njëherë të tund rrjetën e Juves, duke realizuar me anë të Gervinho, në minutën e 74’ të takimit.

Kur mendohej se  gjithçka mori fund, ishte përsëri Gervinho i cili ‘vjedh’ spektaklin dhe i dha një pikë skuadrës së tij.

Juventusi pas 22 javëve numëron 60 pikë të grumbulluara.