'Rama do të shkulet nga karrigia e Kryeministrit': Basha paralajmëron ç'do të ndodhë më 16 shkurt

Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka bërë të ditur nga Kuvendi sot se “më 16 shkurt, nëse kjo krizë politike nuk përfundon përpara, vullneti i përgjithshëm i shqiptarëve do të shprehet dhe nuk ka forcë ta ndalë. Edi Rama do të shkulet nga karrigia e kryeministrit!”

Basha është shprehur i vendosur në foltoren e Kuvendit, kur mori fjalën pas pushimit 10 minutash që dha Gramoz Ruçi, për të mos lejuar ish-kryeministrin Sali Berisha të replikonte më me kryeministrin.

"Në 16 shkurt nuk do të mblidhemi për pushtet, por për ndryshim! - theksoi kryetari i opozitës. - Ndryshim të madh që do të kthejë dinjitetin e nëpërkëmbur edhe  socialistëve shqiptarë. Më 16 shkurt, nëse kjo krizë politike nuk përfundon përpara, vullneti i përgjithshëm i shqiptarëve do të shprehet dhe nuk ka forcë ta ndalë.

Edi Rama do të shkulet nga karrigia e Kryeministrit. Fatura e shkuljes së Edi Ramës nga karrigia varet në një masë të madhe dhe nga ndërgjegja e socialistëve të ndershëm. Do të lejoni ta çojë këtë faturë në nivelet më të larta të mundshme për popullin, për fëmijët tuaj apo do të bashkohemi të gjithë së bashku të heqim perden e shfaqjes më të shëmtuar dhe më të kushtueshme që ka pasur ky popull në kurriz? 16 shkurti me ndihmën e Zotit dhe bashkimin e shqiptarëve do të jetë një ditë ndryshe.

Pas këtij fjalimi, opozita e bashkuar është larguar nga salla e parlamentit. /ar.sh/SYRI.NET