Zyrtare/ Talenti i Shpresave firmos në Holandë

Tashmë është zyrtare. Agim Zeka ka firmosur në Holandë te skuadra e Fortuna Sittard, ekip që këtë vit është ngjitur në Eredivisie dhe pas 19 javëve të para pozicionohet në vendin e 10-të. 

Pas disa ditësh stërvitje me Fortunan, Zeka ka nënshkruar sot kontratën që do ta lidhë me skuadrën holandeze deri në fund të sezonit.

Bëhet fjalë për një tjetër transferim në formë huazimi i talentit shqiptar, pasi kartonin e ish-lojtarit të Skënderbeut e zotëron skuadra franceze e Lille, e cila e bleu nga korçarët për 300 mijë euro në janar të vitit 2017.

Pasi u aktivizua për një periudhë disa mujore me skuadrën e dytë të Lille, Zeka u huazua dy herë në ligën e dytë portugeze fillimisht te skuadra e Varzim dhe së fundmi te Leixoes, por në asnjërën prej këtyre dy skuadra nuk arriti të linte shenjë.

Megjithatë 20-vjeçari i lindur në Gjermani i cili është edhe pjesë e përfaqësueses Shpresa të Shqipërisë, shpreson që të lërë shenjë në futbollin holandez aty ku u jepet shumë përparësi talenteve të reja.