Kosova në grevë/ Haradinaj tregon në SYRI.net si do plotësojë kërkesat

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ishte i ftuari i mbrëmjes  në emisionin ‘FAKT’ në SYRI.net ku ka komentuar edhe situatën në të cilën ndodhet Kosova, ku shumë sektorë të shërbimeve janë në grevë.
Haradinaj ka treguar se kjo situatë ka ardhur për shkak të bërjes së ligjit për pagat. Sipas tij, Kosova nuk  ka pasur deri më tani një ligj të tillë.

‘Hera e parë që bëhet një ligj për pagat në Kosovë dhe është e natyrshme që të ketë një tronditje. Unë po punoj që të miratohet me konsensus ky ligj dhe më pas do të ulemi me të gjitha shtresat për të diskutuar këtë gjë.

Ka ende kohë për të diskutuar për buxhetin e ri të Kosovës. Ditën e enjte besoj se do të mblidhemi në një seancë të jashtëzakoshme.

PSD-ja ka dhënë disa arsyetime dhe po përpiqemi ti plotësojmë.

Presim që edhe LDK-ja të votojë buxhetin sepse ata kanë propozuar disa ndryshime dhe plotësime për buxhetin pasi janë kërkuar disa ndryshime për disa komuna të rëndësishme që drejton LDK-ja’, deklaroi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përballë gazetarit Çim Peka.