Vetingu i Prelës, kërkesa e PD: Verifikoni nga kamerat një takim të saj dhe dosjen e Avdylajve

Partia Demokratike i ka kërkuar KPK-së të verifikojë dy fakte të reja lidhur me Donika Prelën, drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që është futur në procesin e Vetingut.

Deputeti Enkelejd Alibeaj, nënkryetar i Komisionit të Ligjeve, kërkoi të verifikohej një takim i Prelës me një anëtare të komisionit të Vetingut në fund të vitit 2018 si dhe t’i përgjigjet pyetjes nëse emri i Prelës është në dosjen e bandës së Avdylajve.

Deklarata e plotë e Alibeajt:

Rasti i drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela po konfirmon se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është një vegël në duart e pushtetit për të mbajtur në sistem prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar.

Në dosjen e Donika Prelës ka dokumenta që provojnë se miliona lekë nga pasuria e saj janë të pajustifikuar, se bashkëshorti i saj dyshohet për pastrim parash dhe se, në rastin më të mirë, ai ka punuar në të zezë.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit bëri një përpjekje të lavdërueshme për të hdhur dritë mbi aktivitetin e paligjshëm të Donika Prelës, por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është urdhëruar të mbajë në sistem një tjetër prokurore të korruptuar, të shantazhueshme nga politika dhe nga bandat.

Përpara se të japë vendimin për Donika Prelën, Komisioni I Pavarur I Kualifikimit ka për detyrë të verifikojë dy informacione të reja për Drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Së pari, të konfirmojë që Donika Prela, në konflikt të hapur inetresi, është takuar gjatë periudhës që ishte nën veting me anëtaren e trupës së vetingut, Valbona Sanxhaktari.

Për lehtësi pune, i sugjerojmë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të kërkojë kamerat e Sigurisë së Prokurorisë së Krimeve të Rënda në muajt nëntor-dhjetor.

Së dyti, organet e vetingut duhet t’i japin përgjigje pyetjes: a është Donika Prela pjesë e dosjes 339, e kapur në përgjim me bandën e Avdyljave duke biseduar me kreun e bandës Astrit Avdylaj?

Përgjimet e dosjes 339 janë bërë në kohën kur Donika Prela drejtonte Prokurorinë e Durrësit dhe Astrit Avdylaj u arrestua për armëmbajtje pa leje, por më pas u lirua si i pafajshëm.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përgjegjësinë të bëjë verifikim të plotë për Drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Një prokuror i korruptuar dhe me lidhje me krimin e organizuar nuk mund të japë drejtësi! Organet e vetingut kanë përgjegjësinë të mos lejojnë që një prokurore me pasuri të pajustifikuar, e dyshuar për lidhje me krimin e organizuar të drejtojë strukturat më të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.