Gjykata e Gjirokastrës lë në burg pa afat hajdutin e banesës së Elton Çiços

Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër, ka lënë sot në burg pa afat Erigers Mihasin, i dyshuar për grabitjen e banesës së Elton Çiços rreth 4 vjet më parë në qytetin e Tepelenës. Seanca ka zgjatur 10 minuta ndërkohë që paraprakisht ishin marrë masa nga policia e Gjirokastrës për të ruajtur ambientet brenda dhe jashtë godinës së Gjykatës për të parandaluar ndonjë situatë të pakëndshme.

Vetë Mihasi kishte kërkuar avokat nga kryeqyteti për t’u mbrojtur por në mungesë të tij, iu vendos një avokat nga shteti.

Kryesuesi i seancës Pëllumb Vehbi në fillim i dha fjalën akuzës përmes Emror Kasaj prokurorit të çështjes i cili vlerësoi se arrestimi i Mihasit nga policia e Gjirokastrës ishte i ligjshëm dhe kërkoi nga kryesuesi i seancës që të jepte masën “burg pa afat”.

Më pas kryesuesi i seancës, ka dhënë masën “burg pa afat” për Mihasin.

Prova e vetme që mban Mihasin pas hekurave, janë shenjat e tij të gishtërinjve në automjetin që u përdor për grabitjen me armë të banesës së Elton Ciços në shtator të 2015.

Elton Çico u vra një vit më vonë në kryeqytet në një atentat të organizuar nga Jani Aliaj. Vetë i dyshuari si pjesëmarrës në grabitje Erigers Mihasi, ka mohuar akuzën ndaj tij dhe kundërshtuar prokurorin Emror Kasaj.

Gjurma e gishtit që e lidh Mihasin në këtë grabitje të shëmtuar të dy të moshuarve, është zbuluar në vazhdën e hetimeve që prokuroria dhe policia e Tiranës, po kryenin për masakrën e 4 tetorit 2018 të ndodhur në një lokal në afërsi të Sadiumit “Selman Stërmasi”, ku u përplasën me armë dy grupe kriminale të Tiranës.