Skandali i Unazës së Re, ikën Qendro, vjen ...

Qeveria ka shkarkuar sot nga detyra, Afrim Qendron, Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar. Lajmi bëhet i ditur nga burime mediatike, sipas të cilave, në krye të ARRSH-së, është emëruar Sonila Qato, ish-ministrja e Shtetit. 

Shkarkimi i Qendros nga detyra vjen një ditë pas anulimit nga ministrja e re e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e koncensionit për ndërtimin e rrugës Thumanë - Kashar me vlerë 337 milionë euro si edhe, pak javë pas pyetjes së tij në Prokurori për skandalin e ‘DH Albania” në Unazën e Re, e cila fitoi me dokumenta të falsifikuara nga ARRSH-ja, tenderin 18 milionë euro.

Qendro, në 16 janar, pasi dëshmoi dy orë në Prokurori, deklaroi se nuk e kishte shkelur ligjin dhe se kishte zbatuar procedurat me korrektesë.

Bashkë me Qendron, për skandalin e "DH Albania', pritet të vihen në hetim edhe disa zyrtarë të tjerë, që e nxorën fituese në tenderat me vlerë disa milionë euro, kompaninë fantazmë.

Jo më larg se dje, u largua nga detyra, me dorëheqje "për arsye personale", drejtori i OST-së, Klodian Gradeci, i cili po ashtu është thirrur në Prokurori për të dëshmuar për tenderin disa milionë eurosh që OST-ja i ka dhënë firmës së skandalit, "DH Albania".