Tirana fiton në miqësore, por trajneri Mema e pranon: Kemi ende probleme

Fitorja nuk është një fjalë që te Tirana është përdorur shpesh në dy fazat e para.

Megjithatë bardheblutë po shfrytëzojnë këtë fazë përgatitore për të injektuar mentalitetin e duhur në skuadrën që synon të bëjë kthesën në pjesën e dytë të sezonit.

Formacioni i Ardian Memës ka triumfuar 3-1 në miqësoren ndaj Besës së Kavajës, një sukses që ka ardhur me përmbysje rezultati pas disavantazhit të pjesës së parë.

Loja ka ende për të përmirësuar, ndërkohë që “timonieri” bardheblu është i kënaqur me reagimin e skuadrës.

“Duhet të jemi të sinqertë, kemi ende probleme. Nuk më pëlqeu skuadra në pjesën e parë, ishim të ngadaltë ndoshta edhe për shkak të ngarkesës së fazës përgatitore. Në pjesën e dytë, me zëvendësimet e bëra, ishim më mirë dhe arritëm të përmbysnim rezultatin”, u shpreh Mema.

Goli është një çështje tek Tirana, por në dy miqësoret e fundit bardheblutë kanë një lider të ri.

Ernest Muçi ka shënuar dygolësh në përmbysjen ndaj Besës, ndërkohë që e çon në 3 numrin e realizimeve në dy miqësoret e fundit.

Trajneri Ardian Mema u ka dhënë më shumë hapësirë lojtarëve të akademisë që pritet të kenë minutat e tyre edhe në sezonin e rregullt.

“Të them të drejtën janë aktivizuar edhe Ismailgeci dhe Çelhaka. Muçi ka shënuar 3 gola në 2 ndeshje. Jam i kënaqur prej tyre, pasi kanë qenë në formë të mirë në këtë periudhë faze përgatitore. Muçi vjen edhe nga grumbullimi me kombëtaret e moshave dhe po bën mirë”, tha Mema.

Ndërkohë sytë janë nga merkato, aty ku Tirana pret afrimet cilësore, që do të bëjnë diferencën me grupin.

Ardian Mema shpreson tek afrimet, edhe pse nuk bën të ditur emra konkretë.

“Shpresojmë të afrojmë lojtarë, por nuk mund të jap emra konkretë”, tha trajneri i bardhebluve në përfundim të miqësores me kavajasit.