Allegri këshillon bardhezinjtë për Superkupën: Këtu s’ka diferenca me Milanin

Në vigjilje të sfidës ndaj Milanit për Superkupën e Italisë, që do të vendosë edhe fatet e trofeut të parë për vitin 2019, trajneri i bardhezinjve, Massimiliano Allegri, rezervon disa këshilla për të tijtë.

“Sigurisht që ajo ndaj Milanit për Superkupën do të jetë një ndeshje e madhe. Do të përpiqemi të çojmë në shtëpi trofeun që na mungon prej dy sezonesh. Në një ndeshje të tillë diferencat e pikëve mes Milanit dhe Juventusit në kampionat zbehen. Në këtë kontekst për sfidën e së mërkurës do të na duhet të tregojmë shumë kujdes, por dhe respekt për atë që kemi arritur deri tani dhe sigurisht për kundërshtarin që nuk duhet nënvlerësuar”, theksoi Allegri.

Lidhur me rreshtimin e organikës se tij në stadiumin e King Abdullah në Jeddah të Arabisë Saudite ku dhe do të marrë jetë kjo finale e madhe, Allegri zbulon disa të dhëna interesante.

“Do të aktivizoj ndonjë prej lojtarëve që nuk mori pjesë në sfidën ndaj Bolognas. Jam i lumtur me gjendjen që paraqesin Douglas Costa dhe Bernardeschi që po rikuperojnë tërësisht në aspektin fizik dhe psikologjik. Khedira po rikthehet në formën e tij më të mirë duke na treguar të gjithëve lojtarin e madh që njohim, edhe pse në pjesën e parë të sezonit pati disa dëmtime. Nga ana tjetër përballë do të kemi një kundërshtar shumë entuziast pas asaj fitoreje në Kupën e Italisë. Për ta sikundër dhe për ne kjo është një ndalesë shumë e rëndësishme. Një sfidë ndaj dy rivalëve historikë, prandaj jemi të detyruar të japim më të mirën”, përfundoi tekniku i bardhezinjve.