Skënderbeu aktiv në merkato, tenton dy mesfushorë boshnjakë

Skënderbeu duket se ka filluar të lëvizë në merkaton e janarit për t’i dhënë trajnerit Orges Shehi lojtarët që i nevojiten në plotësimin e reparteve të ndryshme të fushës.

Mesfusha është reparti ku kampionët e Shqipërisë kanë më shumë nevojë se kudo tjetër, kjo jo vetëm për faktin se ishin të pakët në numër që prej fillimit të sezonit, por edhe si pasojë e dëmtimeve të fundit që kanë zbrazur më së shumti repartin e bardhekuqve.

Për këtë arsye, klubi korçar ka filluar të lëvizë në këtë merkato për të afruar lojtarët e nevojshëm për Shehin. Së fundmi, burime pranë klubit bëjnë me dije se përmes menaxherit të merkatos, Haris Fakiç, korçarët kanë filluar kontakte me dy futbollistë boshnjakë që për momentin janë pa ekip.

Bëhet fjalë për 28-vjeçarin Adnan Zahiroviç dhe 24-vjeçarin Todor Petroviç. Të dy këta futbollistë duket se kanë rënë nën lupën e bardhekuqve që mund të shfrytëzojnë “kartën” Haris Fakiç.

Duke qenë se drejtori i merkatos së korçarëve është nga Bosnja, atëherë mund të hyjë në lojë “karta” e bashkëkombësve për të bindur të paktën një nga dy lojtarët.

Ajo që mbetet për t’u parë është se sa do të arrijë klubi korçar t’u mbushë mendjen futbollistëve në fjalë dhe mbi të gjitha forma e tyre, pasi prej disa muajsh janë pa ekip./ panorama sport