Përgjimet/ Konkurset e punësimit, Blerina Gjylameti ‘kapet mat’ me 30 ‘propozime’..., por ka një justifikim epik... Dokumenti

Trafik influence për punësime apo transferime rezultojnë të kenë ushtruar edhe deputetë të tjerë të PS. Në një bisedë telefonike të ish-drejtorit të Burgjeve, ka dalë edhe emri i deputetes Blerina Gjylameti.

Midis “rreshtave” të kësaj bisede, përgjimet nxjerrin gjithashtu në pah manovrat e kryera me testimet, ku rezultatet manipulohen për të favorizuar kandidatët e servirur përmes kanaleve partiake. Në përgjigje të një kërkese për të punësuar një person të lidhur me Partinë Socialiste, Çuko shpjegon se si do ta nxirrte atë fitues.

“Do bëjmë dhe procedurën gjasme fitoi kjo, humbën këta të tjerët. Më kanë ardhur 217 veta, gjasme me konkursin e famshëm publik,”thotë ai.

Ndërkohë, sipas bisedës, Blerina Gjylameti përmendet në një bisedë të Arben Çukos, ish-drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve, me një person të tretë për ndërhyrjen në punësimin e një personi të lidhur me Partinë Socialiste.

Sipas bisedës së përgjuar, mësohet se deputetja e PS-së, ka “depozituar” një listë më 30 persona, për “kandidatë” punësimi, por Gjylameti, e pyetur nga Zëri i Amerikës, ka një justifikim “epik”, kur tha se nuk komentonte “çështje që janë në hetim nga Prokuroria”.

Arben Çuko, një ish-komandant i Gardës së Republikës dhe ish-deputet i Partisë Socialiste u ngjit në krye të Burgjeve në korrik të vitit 2017, por vetëm disa muaj më pas u përfshi në hetimet e Prokurorisë, për shkak të komunikimeve të tij telefonike me anëtarët e një grupi kriminal për transferimin e një të dënuari.

Ai u shkarkua nga detyra pa mbushur ende vitin dhe në tetor 2018 u arrestua për korrupsion nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Çuko i ka mohuar akuzat dhe ndodhet aktualisht në arrest shtëpie.