Prezantohet talenti i Shpresave: Ju tregoj arsyen pse zgjodha Kukësin

Faton Xhemaili është zyrtarisht përforcimi më i fundit i Kukësit. Lojtari ka pranuar ofertën e drejtuesve duke nënshkruar kontratën e cila do ta mbajë të lidhur me klubin blu deri në qershor të vitit 2021.

Një etapë e re në karrierën e 20-vjeçarit që zbulon arsyet që e bindën të pranonte ofertën e klubit verilindor.

“Kjo është hera e parë që luaj në kampionatin shqiptar dhe personalisht ndihem shumë mirë që do të bëhem pjesë e Kukësit. Jam në një ekip që po lufton për titullin kampion dhe me Kukësin do luajmë në Europë”, tha fillimisht Xhemaili.

Në krahun e majtë të mbrojtjes do të duhet të konkurrojë me një futbollist cilësor si Rrumbullaku, por kjo nuk e shqetëson djaloshin e lindur në Bujanoc.

“Në fillim e di që do të jetë e vështirë, por me punë mund të fitoj vendin në formacion”, tha mbrojtësi i Shpresave kuqezi.

Çdo aventurë e re nis me ëndrra dhe ambicie, Kukësi mund të jetë një trampolinë e rëndësishme për karrierën e Faton Xhemailit.

“Shpresoj që nëpërmjet Kukësit do të arrij të transferohem në një kampionat të rëndësishëm europian dhe do të vazhdoj të jem pjesë e Kombëtares”.

Xhemaili është aktivizuar në kampionatin serb me Radnik Surdulica, ndërsa në nëntor debutoi edhe me fanellën e Kombëtares shqiptare të 21-vjeçarëve, teksa është prurje e tretë e Kukësit në këtë merkato të dimrit pas Rrocës dhe Shkurtajt.