E konfirmon presidenti, Teuta shet sulmuesin e skuadrës

Amadu Latif nuk do të jetë më pjesë e Teutës në gjysmën e dytë të sezonit. Lajmi është konfirmuar nga presidenti i klubit durrsak, Edmond Hasanbelliu, i cili në një prononcim për “RTSH Sport” ka zbuluar se 25-vjeçari është shitur në Bjellorusi.

“Latif është shitur në Bjellorusi. Prisnim më shumë nga ai kur e morëm, edhe pse e menduam fillimisht një sulmues krahu, jo një lojtar në qendër. Ai pati probleme, nuk kishim si të kënaqeshim, ndaj e shitëm. Do të marrim tjetër më të mirë dhe njëkohësisht bëjmë edhe para.

Pretendojmë të marrim një bullgar dhe një argjentinas. Ka disa alternativa, por shumë shpejt brenda këtij muaj do të themi se kush do të jetë përforcimi ynë”, u shpreh presidenti i Teutës për “RTSH Sport”.