Presidenti Meta, fjalë prekëse për vdekjen e futbollistit të madh shqiptar

Futbolli shqiptar sot mori lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të legjendës së portës shqiptare, Mikel Jankut, shkruan Syri.net.

Ish-‘gardiani’ i Kombëtares (1964-1967) dhe i ekipit të Partizanit (1962-1969), më pas gazetar dhe opinionist i futbollit, u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kujton me nderim figurën e të madhit Janku, teksa shpreh ngushëllimin për humbjen e këtij personaliteti të shquar të sportit e të gazetarisë sportive.

“Ndaj sot dhimbjen e thellë bashkë me familjen Janku, miqtë e të afërmit dhe mbarë sportdashësit, për ndarjen nga jeta të Mikel Jankut, këtij personaliteti të shquar, të futbollit e sportit dhe gazetarisë sportive.

Mikel Janku do të kujtohet me nderim, jo vetëm për kontributin si titullar i “Partizanit” të madh të atyre viteve dhe i ekipit kombëtar, por edhe si shembull i qytetarisë dhe edukimit të brezave të rinj me vlerat më të mira sportive e njerëzore.

U prehsh në paqe, në lartësitë e pafundme aviator ynë i dashur!”, shkruan Presidenti Meta në faqen e tij zyrtare në Facebook.