Studentët do të përshkojnë sot Tiranën, nisin 'Marshimin gjithpërfshirës'

Studentët protestues kanë hartuar një plan të ri për t’i dhënë hov, revoltës së tyre dhe forcimit të radhëve. Ata do të nisin marshimin gjithpërfshirës anë e kënd Tiranës për t’u bashkuar me shokët e tyre nga fakultete të ndryshe dhe në fund, pasi të jenë bashkuar edhe me shokët nga Universiteti Bujqësor tek Zogu i Zi, do t’i drejtohen Kryeministrisë.

Në axhendën e tyre për sot thuhet se ‘beteja vazhdon. Marshim gjithpërfshirës.”

Sipas programit të ri,  do të mblidhen nëpër fakultete nga ora 8:30 deri në 9:30 dhe do të protestojnë në fakultetet e tyre për plot 1 orë. Në orën 10:30, studentët do të nisin marshimin gjithpërfshirës.

Universiteti Politiknik i Tiranës bashkë me Artet do të nisë marshimin për t’u takuar me Fakultetin e Drejtësisë.

Pas bashkimit do të marshojnë për tek Unaz për t’u takuar me Fakultetin e Ekonomisë, Fakultetin e Histori-Filologjisë dhe Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.

Tek “Vasil Shanto” bashkohen dhe fakultetet e tjera, Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Fakulteti i Inxhinjerisë Matemakine dhe Inxhinjerisë Fizike.

Marshimi vazhdon drejt 21-shit dhe Zogut të Zi, ku rrugës do të bashkohen edhe Fakulteti i Inxhinjerisë së Ndërtimit, Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës dhe Universiteti i Sporteve i Tiranës.

Në kryqëzimin e Zogut të Zi, do të bashkohen me Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës.

Tek Fakulteti i Shkencave të Natyrës bëhet bashkimi i madh me Fakultetin e Mjekësisë Tiranë dhe nis marshimi drejt Kryeministrisë.

"Ideja, sipas organizatorëve, është se problemi i studentëve lidhet me arsimin dhe prandaj do të protestohet në çdo fakultet. Gjithashtu, problemet e studentëve lidhen ngushtë me çdo qytetar të këtij vendi, ndaj, ja pse do të bëhet ky marshim gjithpërfshirës për sensibilizimin e çdokujt. E fundit, zgjidhja e problemeve tona vjen nga ata që janë në krye të drejtimit të këtij vendi, ja pse do të mblidhemi tek Kryeministria," njoftojnë të rinjtë.

Protesta studentore nisi më 4 dhjetor 2018 tek Fakulteti i Inxhinjerisë së Ndërtimit në Tiranë. shkëndija qe një tarifë e re e fshehtë, vendosur atyre nga qeveria, rreth 7 mijë të vjetra, për çdo provim të mbartur si dhe pagesa 1 muaj para kohe, e tarifës së studimit.