Solari flet për humbjen e Realit: Sot çdo gjë shkoi mbrapsht

Real Madridi ka pësuar një humbje të turpshme në “Santiago Bernabeu” me rezultatin 2-0 nga Real Sociedadi në kuadër të javës së 18-të në La Liga.

Skuadra e Santiago Solarit nuk e ka filluar aspak mirë vitin 2019, pasi barazoi edhe ndaj Villarrealit në ndeshjen e kaluar.

Kjo është humbja e gjashtë për Realin në këtë edicion të La Ligës.

“Sot çdo gjë shkoi mbrapsht. Çdo gabim në futboll paguhet shtrenjtë. Bëmë gjithçka për të përmbysur rezultatin, por në futboll quhen golat”, ka thënë Solari pas ndeshjes.

“Kemi shpërdoruar tre pikë të tjera me të cilat mund t’u ishim afruar kundërshtarëve. Ky është futbolli. Ishim tepër të shpërqendruar që në fillim të sfidës dhe paguam shtrenjtë. Nuk e kemi nënvlerësuar kundërshtarin, në çdo ndeshje luajmë për fitore”, tha tekniku i madrilenëve.