Chelsea i bën ofertën e parë sulmuesit të PSG-së

Në pritje për të kuptuar nëse mund të realizojë shkëmbimin mes Higuain dhe Moratës, Chelsea ka kërkuar informacion për një tjetër emër të bujshëm të futbollit, të cilin kërkon t’ia dhurojë trajnerit Sarri.

Bëhet fjalë për sulmuesin uruguaian të PSG-së, Edison Cavani, i cili ashtu si Higuain dhe Sarri, është ish-napolitan dhe prej kohësh nuk e ka fshehur dëshirën për t’u larguar nga kryeqyteti francez.

Sipas mediave angleze, londinezët kanë ofruar rreth 60 milionë euro për kartonin e Cavanit dhe vetë sulmuesi duket i joshur nga kjo mundësi për t’u transferuar në Premier League, por mbetet për t’u parë reagimi i PSG-së.

Klubi francez kërkon të shesë Cavanin, i cili sezonin tjetër futet në vitin e fundit të kontratës, por me Championsin si objektiv madhor, vështirë se do të pranonte të hiqte dorë në këtë periudhë, pasi do t’i krijohej një boshllëk në repartin e avancuar.