Plani i Ramës për të shpëtuar veten me zgjedhjet e Qershorit: Të lëshojmë copa nga Tepsia

Duket se skandalet dhe kriza e rëndë që ka ngërthyer qeverisjen mono-partiake të Rilindjes, ka bërë që Edi Rama me rastin e zgjedhjeve lokale të ndryshojë strategji elektorale.

Në zgjedhjet e kaluara parlamentare. ai luajti fortë me ‘Tepsinë’ e koalicionit me LSI në mandatin e parë, duke premtuar që do ta çonte për skrap, por që shumë shpejt u vërtetua se e morri të gjithën për vete. Jo për socialistët, por për një grusht njerëzish ‘biznesmenë strategjikë’ pranë familjes së tij.

Meqenëse loja e tepsisë u dekonspirua shumë shpejt dhe madje i është kthyer në bumerang, Edi Rama i është rikthyer strategjisë tradicionale të PS-së; asaj të koalicionit.

Kështu në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare, u vendos që të riaktivizohet koalicioni Aleanca për Shqipërinë Europiane me rastin e zgjedhjeve të 30 Qershorit, kur do të votohet për kryetarët e rinj të bashkive dhe këshillat bashkiakë.

Sipas strategjisë organizative që u miratua në këtë asamble, parashikohet që brenda këtij muaji të nisin takimet me partitë e vogla që do të përfshihen në këtë aleancë dhe të vazhdojnë  në shkurt, për tu finalizuar në fillim të muajit Mars.

Duket se këto zgjedhje lokale, Edi Rama, i sheh si mundësinë e fundit për të mbajtur në këmbë qeverinë e tij dhe të përmbushë si kryeministër deri në fund, mandatin e dytë të fituar në vitin 2017. Prandaj ai ju është rikthyer strukturae të Partisë Socialiste, sipas modelit tradicional elektoral; Nga niveli i qarkut, duke e zbritur në nivel bashkie, njësie administrative dhe për çdo qendër votimi.

Gjithashtu do të krijohet struktura e koordinimit elektoral, struktura dixhitale dhe ajo për emigracionin. Për këtë të fundit, Rama ka urdhëruar që të rikthehen praktikat e vjetra për të thithur sa më shumë vota emigrantësh duke ju vënë në dispozicion transportin, vajtje-ardhje, ditën e votimit.

Brenda muajit shkurt është urdhëruar, që  të ngrihen zyrat elektorale në çdo bashki të vendit, ndërsa një vëmendje e veçantë po i kushtohet listave të zgjedhësve, duke identifikuar votuesit potencialë të PS-së, ata që janë të lëkundur dhe ata që votojnë tradicionalisht kundër kësaj force. Brenda kësaj strategjie është edhe loja që po bëjnë me 1.4 milion karta identiteti duke i nxjerrë të pavlefshme.

 Për të përmbushur synimin e kapjes sa më shumë vota me çdo mënyrë dhe kusht, në Asamble u vendos edhe ngritja e gupeve të patronazhit të cilët do të punojnë shtëpi më shtëpi, sipas metodës jepu në fillim’ kulaçin’ dhe nëse refuzojnë, ‘kërbaçin’.