Klubi italian konfirmon si trajner Inzaghin

Bologna mbylli një gjysmë sezoni mjaft të komplikuar, por drejtuesit e skuadrës vendosën të konfirmojnë besimin ndaj trajnerit Philippo Inzaghi, pavarësisht se skuadra renditet vetëm në vendin e 18-të, me 13 pikë të grumbulluara në 19 ndeshje.

Qëndrimi në Serinë A është objektivi i skuadrës emiliane për këtë sezon dhe për ta bërë të mundur këtë, drejtuesit janë hedhur në merkato, duke vënë në dispozicion të Inzaghit dy futbollistë.

Bëhet fjalë për mesfushorin Roberto Soriano dhe sulmuesin Nicola Sansone, të dy në pronësi të klubit spanjoll të Villarealit, por që do të vijnë te Bologna nëpërmjet dy formulave të ndryshme të transferimit.

Kështu sulmuesi italian, Sansone, i cili më herët ka luajtur edhe me Sassuolon, do të vijë në huazim me detyrim blerjeje në muajin qershor të 2019-ës, çka e bën atë një futbollist të emilianëve, ndonëse zyrtarisht vetëm në fund të këtij sezoni.

Sa i përket mesfushorit Soriano, i cili ka luajtur në Itali me Sampdorian, ai do t’i bashkohet Bolognës me formulën e huazimit me të drejtë blerjeje, ndërsa do të jetë klubi emilian që në fund të sezonit do të vlerësojë nëse ia vlen të paguajë për kartonin e tij apo jo.

Gjithsesi merkatoja e skuadrës kuqeblu nuk mbyllet këtu, pasi drejtuesit e klubit i kanë premtuar Inzaghit edhe 2-3 afrime të tjera, për të krijuar një skuadër të aftë për të mbijetuar në kampionatin italian.