VIDEO/ Arrestohet e reja shqiptare për vrasje në Itali, ja si u zbulua. Emri

Një e re shqiptare është prangosur në Itali për vrasje.

Sipas mediave italiane, në pranga është vënë Aurela Perhati, 24 vjeçe. Ajo akuzohet për vrasjen e 53-vjeçarit Massimo Garitta, i cili u gjet i pajetë më 1 janar, në një fushë në komunën Ovada të provincës së Alessandrias.

Sipas të njëjtave burime, Perhati, pas orësh të gjata intervistimi nga hetuesit, ka pranuar se e ka marrë në makinën e saj viktimën më 31 dhjetor 2018 dhe e ka çuar në një fushë, ku e ka shtypur me mjet.

Hetimet e kryera nga karabinierët çuan te shqiptarja pasi numri i marmitës së makinës “Lancia Y” të vajzës, mbeti i stampuar te xhupi i viktimës, Massimo Garitta. Përveç kësaj, gjurmët e gomave të makinës së 24-vjeçares përputheshin me ato të gjetura në vendngjarje.

E reja është ndaluar mëngjesin e kësaj të premteje dhe ndodhet në paraburgim në Vercelli, në pritje të masës së sigurisë. Motivet e krimit mbeten ende të paqarta.

Aurela Perhati raportohet se jeton prej shumë vitesh në Ovada me familjen, ku edhe punonte si shitëse në një dyqan këpucësh. Në të njëjtën komunë jeton edhe viktima. Ky i fundit, sipas hetuesve, njihet si person i varur nga droga dhe me precedentë të mëparshëm penalë.