Viti i eksperimenteve, moderatoret që provuan një tjetër format televiziv në 2018-ën

2018-ta ka qenë viti i ndryshimeve të mëdha në televizionet shqiptare. Shumë figura të ekranit kaluan nga një televizion në tjetrin, duke e kthyer në një garë të ethshme për të rrëmbyer emrat më të njohur. Përveç kësaj shumë ndryshime ndodhën edhe në formatet televizive dhe shumë moderatore vendosën të provonin një eksperiencë të re. Pavarësisht se ishin fusha që nuk i kishin provuar më parë, ia dolën mbanë më së miri revista “Who” ju kujton rastet.

Nga një emision i dedikuar modës, personazheve dhe stilit të jetesës, Nevina Shtylla provoi të moderonte në një tjetër format. Ajo kaloi nga televizioni ‘Klan’ në ‘Top Channel’ për të prezantuar përkrah Edi Manushit emisionin ‘Procesi Sportiv’. Pavarësisht se më parë ishte shprehur se nuk do të dëshironte të bëhej një moderatore sportive, ajo ia arriti punës së saj me sukses.

Për herë të parë këtë vit Bieta Sulo provoi të moderonte e vetme një program televiziv. ‘Top Channel’ i besoi asaj një nga emisionet më të rëndësishme të pasdites, ‘Ftesë në 5’. Më parë Bieta kishte pasur eksperienca televizive, por kjo ishte ndryshe nga gjithë të tjerat. Gjithsesi Bieta e ka provuar se është shumë e zonja në televizion dhe sigurisht që edhe në ‘Ftesë në 5’ arriti të fitojë zemrat e teleshikuesve.

Pasi u largua nga emisioni ‘Pasdite në Top Channel’, Jonida Shehu provoi një tjetër format, duke iu rikthyer një zakoni të vjetër me ‘night show’. Ajo krijoi edhe një hapësirë të sajën në ‘Youtube’ me emisionin ‘Jonida Podcast’. Jonida moderon aktualisht edhe emisionin ‘Soiree’, një program që transmetohet çdo të mërkurë në mbrëmje.

Ishim mësuar që moderatoren simpatike, Bora Zemani, ta shihnim në ‘Digitalb’ në drejtimin e emisioneve sportive gjatë kohëve të fundit. Por 2018-ta shënoi një ndryshim në karrierën e Borës, duke qenë se ajo vendosi të provonte veten në një tjetër fushë. Ajo u shfaq përkrah Ardit Gjebreas në moderimin e festivalit ‘Kënga Magjike’. Pavarësisht se shumë larg fushës së sportit, ku ishte parë të investonte vitet e fundit, Bora ia doli mbanë shumë mirë edhe në këtë eksperiencë të re.

Kiara Tito u bë e njohur në televizionin ‘Top Channel’ me një program rinor. Pas një kohe në ‘Top’, Kiara u zhvendos në ‘Klan’ për të nisur një mision të ri në karrierën e saj. Në 2018-n, Kiara provoi të moderonte e vetme një emision televiziv në formën e një ‘reality show’. ‘Doktor Plastik’ ishte emisioni me të cilin moderatorja simpatike provoi të sfidonte veten.

Për disa vite u mësuam ta shihnim Klea Hutën nën modelimin e emisioneve me karakter muzikor si “Gjeniu i vogël” apo “Maratona e Këngës”. Këtë vit, Klea vendosi të largohej nga televizioni ‘Klan’ për të nisur një rrugëtim të ri në ‘Top Channel’. Kleas ju besua emisioni “Vip Club”, një format televiziv tërësisht i ri në ekranet shqiptare./revistawho