‘Ëndrra Modric’ vazhdon tek Interi, por e duan si lojtar të lirë

Drejtori Sportiv i Interit, Piero Ausilio, është rikthyer të flasë për negociatat e transferimit të Luka Modricit tek Interi gjatë verës, që gjithsesi nuk u krye, pasi Reali i Madridit këmbënguli për të mbajtur kroatin në skuadër edhe për një tjetër sezon.

Ausilio tregoi se zikaltrit nuk nisën asnjëherë negociata, por thjesht besuan te pretendimet e menaxherëve të Modricit, të cilët synonin ta çonin falas lojtarin tek Interi, sipas një marrëveshjeje që kishin pasur më herët me Florentino Perezin.

“Të them të drejtën, në asnjë moment nuk kisha besim të plotë se ky transferim mund të kryhej, por menaxherët e Modric na patën thënë se do të mund ta merrnim falas. Unë i dija mundësitë e Interit dhe e vetmja gjë që u pata thënë menaxherëve të Modricit, ishte: Ne jemi dakord të nënshkruajmë kontratën me lojtarin, sipas kushteve ekonomike që kemi rënë dakord, por ju duhet ta lironi nga Reali, pasi nuk kemi mundësi të paguajmë”, tregoi Ausilio.

Drejtori Sportiv i zikaltërve theksoi se “ëndrra” për të veshur Modric me fanellën e Interit, vijon të mbetet e gjallë, por gjithmonë nëse lojtari do të mund të lirohet nga Reali i Madridit, pasi klubi nga Milano nuk ka ndërmend të investojë para për kartonin e tij.