Ja biznesmeni që favorizon Edi Rama me të ardhurat e Universitetit, shuma e përfituar …

Partia Demokratike përmes këshilltarit ekonomik, Dorian Teliti  ka deklaruar se kryeministri Edi Rama i ka dhënë 1.5 milionë dollarë kompanisë së biznesmenit, Safet Gjici,  nga të ardhurat e universitetit.

Teliti tha se kjo nuk është  hera e parë që ai favorizohet nga Rama dhe se gjatë gjithë mandatit qeverisës kompania e tij, ka marrë 30 milionë dollarë.

“Klientët me të cilit Rama mban pushtetin, nuk e ndjejnë krizën. Rama i ka dhënë 1.5 milionë dollarë Safet Gjicit. Kompania Safet Construction, financohet nga të ardhurat e universitetit.  Qeveria i jep Safet Gjicit për një projekt që nuk ka asnë detyim. Rama ka zgjedhur të financojë vetëm Safet Gjicin,  i cili ka marrë 30 milionë dollarë gjatë gjithë qeverisjes.

Qeveria ka detyrim të përgjigjet pse në mesin e të gjitha kompanive të tjera ka zgjedhur të financojë kompaninë e Safet Gjicit”, u shpreh Teliti.

Deklarata e plotë:

Qeverisja e Edi Ramës është një dështim për arkën e parave publike, por jo për xhepin e miqve, klientëve dhe atyre me të cilët Edi Rama synon të blejë zgjedhjet. Safet Gjici është njëri prej tyre.

Në 11 muaj, dështimi në mbledhjen e të ardhurave është spektakolar. Buxhetit të shtetit i mungojnë 122 milionë dollarë, dëshmi kjo e krizës ekonomike të familjeve shqiptare dhe e abuzimeve korruptive në tatime dhe dogana.

Por klientët me të cilët Rama mban pushtetin, nuk e ndjejnë krizën, sepse paratë që duhet të shkonin, përshembull për të financuar studimet dhe jetesën e studentëve në varfëri ekstreme ekonomike, i merr Safet Gjici, kandidati i përhershëm i Edi Ramës për Kukësin.

Me aktin e fshehtë normativ, Edi Rama i ka shkurtuar investimet në arsim, por i ka dhënë Safet Gjicit 1.5 milionë dollarë për një punë, për të cilën ai nuk ka lidhur kontratë me qeverinë, por me Universitetin e Durrësit.

Nëpërmjet kompanisë “Kevin Construction”, Safet Gjici ka lidhur kontratë prej 5 milionë dollarë me këtë universitet, i cili, sipas dokumentave të tenderit, duhej të financohej plotësisht nga të ardhurat e vetë Universitetit.

Në realitet është ndryshe. Në këtë rast qeveria është treguar plotësisht klienteliste.

Në vend që të shlyejë rreth 240 milionë dollarë detyrime të prapambetura, të konstatuara nga FMN, qeveria e Edi Ramës mbush xhepin e Safet Gjicit me 1.5 milionë dollarë për një projekt ku ajo nuk ka asnjë detyrim.

Në Shqipëri janë me dhjetëra projektet që Universitetet kanë kontraktuar me kompanitë private, por Edi Rama ka përzgjedhur të financojë vetëm njërin prej tyre, atë të klientit Safet Gjici.

Në 5 vitet e qeverisjes së Edi Ramës Safet Gjici ka marrë rreth 30 milionë dollarë tendera, shumicën e të cilëve pa garë apo me garë fiktive. 30 milionë dollarë janë të mjaftueshme për të nisur ngritjen e një infrastrukture moderne, me auditorë, biblioteka dhe pajisje laboratorike për të gjithë universitetet e vendit.

Qeveria ka detyrimin të përgjigjet sot përse, mes dhjetëra projekteve të tjera, ka përzgjedhur të financojë me 1.5 milionë dollarë vetëm kompaninë e Safet Gjicit, kandidatit të tij për Kukësin.