Serie A/ Atalanta frenon Juventusin, Simone fiton duelin me Pipon në Bologna-Lazio

Janë zhvilluar disa prej ndeshjeve të javës së 18-të në kampionatin italian ku bie në sy barazimi i Milanit në transfertë kundër Frosinones dhe po ashtu ai i Juventusit në “Atleti Azzurri” kundër Atalantës së Etrit Berishës dhe Berat Gjimshitit.

Ka qenë pikërisht mbrojtësi i Kombëtares sonë, Gjimshiti, që i ka dhënë avantazhin bardhezinjve pas një goli të shënuar në portën e tij në minutën e 2-të.

Zapata ka përmbysur rezultatin me një gol për çdo pjesë, duke gjetur rrjetën në minutën e 24-të dhe 56-të.

13 minuta pasi u fut në lojë, Ronaldo ka arritur të barazojë rezultatin në 2-2, në të 78-tën, dhe të dy ekipet ndajnë nga 1 pikë.

Në duelin e vëllezërve Inzaghi, Simone ka fituar derbin kundër Pipos, ku Lazio mundi Bolonjën me rezultatin 2-0 në transfertë.

Cagliari ka mundur minimalisht 1-0 Genoan, ndërsa Sampdoria ka fituar pastër 2-0 ndaj Chievos.

Fiorentina është befasuar në shtëpi nga Parma duke marrë një humbje me golin e vetëm të shënuar nga Inglese në fundin e pjesës së parë.