Padia për gradat e policëve, Gjykata Administrative ‘pingpong’ me dosjen e drejtuesve

Gjykata Administrative shpall moskompetencë për kërkesë-padinë e bëra nga sindikata e Policisë së Shtetit që kërkonte të njihej e drejta e fituesve të garës për gradat “Komisar” të zhvilluar në 7 nëntor. Në vendimin e gjykatës, thuhet se, ky institucion ka vendosur shpalljen e moskompetencës funksionale dhe e dërgon dosjen gjyqësore në Gjykatën Administrative të Apelit.

Kreu i policisë së Shetit, Ardi Veliu kishte urdhëruar anulimin e testimit, por nuk kishte dhënë shpjegime për vendimin e tij, duke ngritur dyshime te konkurrentët fitues.  Ndërkohë për të njëjtën çështje, u depozituan në Prokurorinë e Tiranës shumë ankesa  nga konkurrentët e gradave “Kryekomisar” lidhur me parregullsi ne konkursin e zhvilluar edhe në 12 Nëntor.

Prokuroria  e Tiranës kërkoi shpjegime nga numri një i policisë Veliu, zëvendësja e tij, Aida Hajnaj si edhe nga kreu i akademisë së Sigurisë Bilbil Mema për mënyrë se si u krye testimi. Sipas pretendimeve të aplikantëve, të cilët kanë bërë kallëzimin në prokurori, ata pohojnë se rregullorja për gradën “Kryekomisar” ndryshoi formatin e testit pak minuta para nisjes së konkursit.

Verifikimi ka nisur në bazë të nenit 248 të Kodit Penal për “shpërdorim detyre”, ku disa nga konkurrentët dyshohet se janë favorizuar e disa të tjerë kanë paguar për të fituar në dy konkurset e zhvilluara për gradat “Kryekomisar” dhe “Komisar”, në datat 7 dhe 12 nëntor.