Gazetari pranë Edi Ramës: Ky kabinet është më i keq se ai i `tepsisë`

Dy ditë më parë, një prej gazetarëve dhe moderatorëve të njohur i cili njihet për marrëdhënie konfidenciale me kryeministrin, Edi Rama, plasi një editorial të firmosur prej tij, ku paralajmëronte me emra konkretë ministrat që do t'u thyhej karrigia brenda kësaj jave.

Sokol Balla kishte “premtuar” në shkrimin e tij, që këto ndryshime (Të paktën ministri Arben Hahmetaj i Financave, Damian Gjiknuri i Infrastrukturës dhe Ogerta Manastirliu e Shëndetësisë) do të bëheshin që në mbledhjen e jashtëzakonshme të kryesisë së PS-së, që u zhvillua ditën e djeshme. Por kjo nuk ndodhi, ndaj Balla ka shfaqur zhgënjim gjatë një interviste për televizionin “Vizion Plus”. Duke komentuar sërish zërat për ndryshime në qeveri, veçanërisht pas mbledhjes së djeshme të Kryesisë së Partisë Socialiste, Balla thotë se ministrat e kanë kuptuar se mënyra se si po qeveriset nuk është më e mira e mundshmë, madje është edhe më keqe se kabineti paraardhës nw koalicion me LSI në vitet 2013-2017.

“Ky kabinet është më i keq se ai i para 2017, që kishte edhe tepsinë brenda, që Rama me të drejtë e quante të tillë, por është më i keq se ai, sigurisht është më i mirë se çdo kabinet tjetër alternativ që do të paraqiste opozita, ndryshe sot do të flisnim për një situatë tjetër, por që padyshim pritshmëritë sot ishin që në mbledhjen e kryesisë të dilnin emra dhe të merreshin, përgjegjësi konkrete nga ministra konkret”, komenton Balla.

Gjithashtu ai i bëri thirrje kryeministrit, që të jetë i sinqertë me publikun dhe të pranojë se Veliaj do rikandidohet, ndërsa Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini nuk do jenë pjesë e garës.

“Po futemi në vit elektoral dhe z.Rama duhet ti japë fund këtyre dilemave absurde, gjëegjëzave me 7 pikëpyetje, kush do të jetë kandidat për Tiranën, kush për Durrësin kush për Elbasanin. Z.Rama duhet të jetë i sinqertë për publikun dhe të thotë, po z.Veliaj do të jetë kandidat për Tiranën, ne do të gjejmë kandidat të tjerë falenderojmë Vangjush Dakon, Qazim Sejdinin dhe do të gjejmë, i kanë gjetur dy kandidatë por nuk i thonë. Një kandidat tashmë ka filluar fushatën në Elbasan po ashtu edhe në Durrës, por ai nuk e thotë”, thotë gazetari i njohur mes të tjerave në këtë intervistë.