Lojtarët e Flamurtarit ultimatum klubit, rrogat deri më 4 janar ose gjyq në FIFA

Ditë vendimtare për Flamurtarin. Çështja e rrogave duket se është kthyer në një problem serioz, ashtu sikundër edhe një vit më parë. Qysh nga nisja e sezonit, futbollistët nuk kanë marrë pagat, ndërsa u tha se në momentin e kontratës lojtarëve u është dhënë 30 për qind në dorë.

Gjithsesi, jemi përballë faktit se një pjesë e konsiderueshme e lojtarëve nuk kanë marrë asnjë lek nga rrogat dhe janë në pritje. Por, duket se nuk ka kohë, për shkak se edhe rregulloret e futbollit kanë një limit. Deri më 4 janar që grumbullohet ekipi, klubi është në luftë me kohën.

Ekziston frika që nga mosmarrja e pagave, disa lojtarë mund ta hedhin në gjyq klubin dhe mund të dalin të lirë. Sipas rregullores, nëse lojtari ka tre muaj pa u paguar, ka të drejtën që ta ankimojë çështjen në FSHF ose FIFA. Në fakt, nuk është rasti i parë që Flamurtarit i largohen lojtarë për shkak të pagave dhe i drejtohen FIFA-s apo FSHF-së.

Rastet janë me dhjetëra, ndërsa kujtojmë këtu pak vite më parë ku për shkak të pagave, lojtarët bojkotuan stërvitjen dhe u larguan në kohën që drejtoheshin nga trajneri Stanislav Levi.

Ky i fundit u largua bashkë me një grup lojtarësh që kishte sjell vetë, hodhi në gjyq klubin dhe e fitoi. Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, pranon përgjegjësitë e tij për situatën dhe premton se çështja e pagave do të zgjidhet dhe se gjithçka është një ngërç procedurial./ panorama