Gega: U tremba shumë nga dëmtimi i Alban Hoxhës, ja si është gjendja e tij

Partizani barazoi me rezultatin 1-1 në transfertë me Luftëtarin, duke e mbyllur gjysmën e parë të sezonit në krye të renditjes së Superiores.

Trajneri i të kuqve, Skënder Gega, foli për mikrofonin e “Supersport”, ku u shpreh i kënaqur me pikën e marrë.

Ju kënaq barazimi?

Ashtu siç erdhi loja, mund të ndodhte dhe ndryshe. Nuk ka qenë ndeshje e mirë. Ka qenë ndeshje me gabime dhe dizekuilibër. Jam i kënaqur që morëm pikën.

Si është gjendja e Alban Hoxhës?

Në fillim u tremba shumë. Mendova se kishte thyerje. Tani mora një mesazh pozitiv. Te shpatulla është dëmtuar, nuk është gjë e rëndë, shpresoj të rikuperohet sa më shpejt.

Çfarë ndryshoi te Partizani në pjesën e dytë dhe si mundet që mbrojtja e Partizani të pësojë atë gol?

Unë besoj nuk u ndanë shumë shpejt se kush do ta merrte përsipër. Gjërat u bënë konfuze. Ndoshta Shkurtaj mund të ketë shkaktuar faull. Por gjëra që ndodhur. Jam i kënaqur ashtu siç erdhi lojë. Luftëtari është ekip simpatik. Janë shumë arsye që Gjirokastra do të jepte maksimumin.

A deformohet gara kur skuadrat njëherë luajnë fort, njëherë s’luajnë?

Ekipet na marrin shumë seriozisht. Kjo është pjesa që mua më takon. Do ta bëjmë analizën të qetë dhe do të jemi të gatshëm për çdo lloj situate. Jam munduar gjatë gjithë kohës të mos jem pjesë e të keqes. Që luajnë fort kundër nesh bëjnë shumë mirë. Nuk duhet të merremi me motivet pse kundërshtari luan fort. Ne duhet të kontrollojmë veten tonë. Kam qenë i fokusuar te puna. Duhet të jap kontributin aty ku më takon.