Supersfida me Romën, Allegri merr vendimin për Ronaldon

Supersfida e javës së 17-të të Serie A është padiskutim Juventus-Roma.

Kryeqytetasit edhe pse nuk po kalojnë një moment aspak pozitiv do të tentojnë të ndalin hovin e bardhezinjëve që edhe në këtë sfidë do të jenë me Cristiano Ronaldon në fushë që nga minuta e parë.

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, para ndeshjes ndaj Torinos deklaroi se në një nga 4 sfidat e ardhshme ylli portugez do të ulet në stol për të pushuar.

Diçka e tillë megjithatë nuk ndodhi në derbin ndaj Torinos dhe nuk do të ndodhë as në duelin e kësaj të shtune ndaj Romës.

Ishte vetë Allegri që në konferencën për shtyp konfirmoi praninë e CR7-ës në fushë ndërsa shtoi se Ronaldo do të pushojë në një nga dy takimet e fundit të fazës së parë.

Numri 1 i stoli të Juventusit foli edhe për sfidën ndaj Romës, të cilën e konsideroi një ndeshje të vështirë por që me forcë dhe vendosmëri skuadra e tij duhet ta fitojë.

“Ronado luan, sepse janë edhe 2 ndeshje këtë vit. Njërën do të luajë, ndërsa në tjetrën jo”, sqaroi tekniku bardhezi.

Allegri nuk i zë besë as pozicionit të Romës në renditje, duke shtuar se kjo aktualja është një renditje false dhe ajo e vërteta do të kuptohet në fund të fazës së parë.