FOTO/ Brenda shtëpisë së Inva Mulës, sopranoja rrëfen marrëdhënien me fëmijët e saj

Sopranoja e njohur shqiptare Inva Mula ka dhënë një rrëfim plot ngjyra dhe mjaft të hapur për jetën e saj personale dhe profesionale.

Gjithashtu në këtë intervistë të RevistaWho Inva është shprehur për marrëdhënien që ka me dy fëmijët e saj Ninën e vogël dhe djalin Anthony.

Çfarë dëshirash ka mami Inva për Ninën?

Problemi është që dëshirat tona, nuk realizohen asnjëherë tek fëmijët dhe them që nuk duhet të realizohen. Fëmijët duhet të formohen, të ndikohen pozitivisht nga prindi, por nuk duhet të shtyhen të bëjnë diçka që nuk e kanë me pasion dhe me dashuri. Atë që kam kuptuar nga edukata që kam marr është të përkrahim fëmijët edhe nëse zgjedhin diçka që ne nuk na pëlqen, sepse fëmijët kanë ardhur mes nesh, por nuk janë tonët.

Atmosferën e festës Nina si e përjeton, pret dhurata? Është protagonistja kryesore e familjes dhe unë e kam parë këtë gjë…

Nina e shijon dhe beson akoma tek babagjyshi. Derisa besojmë tek babagjyshi jemi akoma te vegjël, në momentin që s’besojmë më fillojmë dyshojmë për shumë gjëra në jetë.

Besoj që jemi ende të mirë kur besojmë te babagjyshi?

Po besojmë se babagjyshi vjen nëse ne kemi qenë të mirë, kemi qenë të denjë që babagjyshi të kalojë, prandaj kjo na bën më të mirë.

Ndërkohë Anthony ka marrë një rrugë shumë të bukur, siç është muzika. Ai studion në Francë, punon atje me një shtëpi diskografike. Sa krenare është mami Inva sot?

Jam krenare në radhë të parë që është një djalë i mirë. Një djalë, i cili nuk më ka nxjerrë asnjëherë asnjë problem. Jeta ime ka qenë dhe është shumë aktive, nuk kam qenë një mama e zakonshme që shkoja në çdo moment ta prisja në shkollë, të isha me atë të bëja mësimet dhe e kam pasur si plagë që nuk arrija dot të isha pranë djalit tim. Në këto kushte kam njohur edhe fëmijë të kolegeve të mia, të cilët kanë marrë një rrugë jo të mirë. Falenderoj Anthony-n për këtë gjë, sepse ka ditur të sillet, ka ditur të mbijetojë vetëm edhe kur ka qenë shumë i vogël. Por të qenurit muzikant, artist, është zgjedhje e tij, prapë nuk është një detyrim, përkundrazi unë nuk do doja që Anthony të ishte artist pasi e njoh çmimin e sakrificës. Por Anthony e zgjodhi vetë. Tani që e zgjodhi vetë unë jam krenare për arsye se zgjodhi një profesion, i cili është në dejet e tij, një profesion që atë e bën një njeri të lumtur.

Ai ka thënë që e vetmja pikë ku nuk takoheni janë tatuazhet dhe unë do doja ta dija në të vërtetë se si i përjeton mami Inva të gjitha ato imazhet që Anthony ka gdhendur në trup?

Vërtet ndoshta nuk jam brezi i tatuazheve, sepse dikur, në kohën e rinisë sonë, mendohej që një djalë që kishte tatuazhe ishte një njeri shumë i fortë, prandaj ka ngelur ndoshta në mendjen time. Duke insistuar tek djali që mos vazhdo më me tatuazhet, atij ju kthye në një art në një mënyrë të jetuari dhe e pashë që nuk e ndaloja dot. Momentin që nuk e ndaloj dot fillojnë të më pëlqejnë, sepse kur e pranon diçka atëherë nuk je më në konflikt me veten dhe personin që ta shkakton këtë konflikt. Prandaj tani kanë filluar të më pëlqejnë, por nuk ja kam thënë dhe ndoshta përmes jush ai do ta mësojë që unë nuk jam më kundra. Dikur i thashë të paktën lëre një krah që ta kesh për mamin, e pashë që dhe krahu u mbush edhe tani e inkurajoj që të jetë i lumtur në këtë formë që ai e ka menduar trupin e tij. Por më ka thënë edhe diçka shumë të bukur, i them “po mirë tani se je i ri, i bukur, i freskët, po si do ja bësh më vonë?”. Më thotë: “mami mos u bëj ti merak se të gjithë pleqtë e gjeneratës sime do jenë me tatuazh”.

Ai ka ardhur disa herë në Tiranë me partneren e tij. Si është marrëdhënia e mami Invës, ndoshta jo me nusen e ardhshme, po me të dashurën e Anthony?

Maria është një vajzë e re franceze që nuk ka lidhje fare me një vajzë shqiptare. Maria mund të hyjë dhe të dali dhe harron që ka një njeri këtu, domethënë është një lloj indiference që lidhet me karakterin, mënyrën e jetesës. Ajo vjen nga një qytet në veri të Francës, afër oqeanit, afër Anglisë, domethënë njerëzit janë shumë më pak ekspresiv, ose të themi ekspresiv ndryshe, jo si ne me gjeste, me temperament, etj. Për momentin është një shoqe shumë e mirë, e cila i sjell Anthony-t një qetësi shpirtërore, frymëzim, është muzë për atë se është vajzë shumë e bukur, shumë ‘trendy’. Prandaj mjafton që t’i shikoj kështu të lumtur… Më mjafton, nuk thellohem më shumë./RevistaWho/