Gjysma e kosovarëve të gatshëm të protestojnë kundër Speciales

Me orë të tëra janë marr në pyetje tash disa ditë disa persona të rëndësishëm të UÇK-së nga ana Gjykatës Speciale. Ditë më parë tek disa ushtarë e komandatë kishin ardhur edhe ftesat e para nga specialja, por pjesa më e madhe e tyre nuk e kanë ditur se në çfarë cilësie janë marr në pyetje.

Vendi me apo pa dëshirën e saj po përballet me Gjykatën Speciale dhe së shpejti  priten të ngriten edhe aktakuzat e para, ku shoqëria jonë do të shkundet nga puna e asaj gjykate dhe se popullata nuk është e përgatitur për këtë.

Gatishmëria për të protestuar ndaj padive të Gjykatës Speciale,  është e lartë në mesin e shqiptarëve, thuhet në hulumtimin Përceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës,  Rreziqet dhe mundësitë  i realizuar nga organizatat Integra, CPT, PAX dhe Impunity Watch.

Sipas hulumtimit ndër shqiptarët, shumica (51%) janë të gatshëm të protestojnë nëse luftëtarët e UÇK-së akuzohen nga Gjykata Speciale e Kosovës dhe 36% janë të gatshëm të veprojnë për të parandaluar ndjekjen penale të pjesëtarëve të UÇK-së

Në rast se zyrtarët serbë në Kosovë ose zyrtarë të Republikës së Serbisë pohojnë se Gjykata Speciale dëshmon që UÇK ishte organizatë terroriste dhe veprimet e saj ishin të paligjshme, përqindja e shqiptarëve të gatshëm për të protestuar ngritet në 64.4%. Një përqindje e ngjashme e të anketuarve shqiptarë (64.7%) janë të gatshëm të protestojnë nëse i konsiderojnë vendimet kundër anëtarëve të UÇK-së të padrejta. Gatishmëria për të protestuar është shumë më e lartë në rajonet Ferizaj dhe Mitrovicë sesa në rajonet e tjera, dhe dukshëm më e lartë në mesin e burrave dhe të rinjve (18-25 vjeç).

41.4% e burrave shqiptarë janë të gatshëm të protestojnë edhe nëse dëshmitë tregojnë qartë fajësinë e ndonjë pjesëtari të akuzuar të UÇK-së për krimet që i ngarkohen. Anketa gjeti se një e treta (36%) e shqiptarëve janë të gatshëm të bashkohen me të tjerët për ta parandaluar Gjykatën Speciale të Kosovës, Qeverinë e Kosovës ose dike tjetër nga ndjekja penale e pjesëtarëve të UÇK-së. Kjo tregon që një pjesë më e vogël, ndonëse e mjaftueshme, e popullsisë është e motivuar për të shkuar përtej protestës drejt veprimit të drejtpërdrejtë që ndërhyn me ndjekjen penale të pjesëtarëve të UÇK-së.

Ndër shqiptarët, 38.9% janë më pak të gatshëm të protestojnë nëse udhëheqësit e bashkësisë ndërkombëtare flasin në favor të Gjykatës Speciale të Kosovës dhe nevojës për të treguar se askush nuk është përmbi ligjin. 37.6% janë më pak të gatshëm të protestojnë nëse ishkomandantët e UÇK-së flasin njësoj. 28.6% e shqiptarëve etnikë janë më pak të gatshëm të protestojnë nëse paraqiten prova që vërtetojnë qartë fajësinë e pjesëtarëve të UÇK-së për krimet që u ngarkohen (ndërsa 32.9% thonë se dëshmitë e qarta nuk janë faktor lehtësues).

Pjesëmarrësit në grupet shqiptare të fokusit shprehën përkrahje të fortë personale për protestat, sidomos nëse gjykimet konsiderohen të padrejta, por ishin skeptikë se a do të mobilizoheshin qytetarët në numër të madh për protestë. Disa pjesëmarrës pohuan se keqinformimi është arsye e mundshme për protesta.

Pjesëmarrësit e grupeve serbe të fokusit pohuan se nuk do të protestonin pas akuzave të lëshuara nga Gjykata Speciale e Kosovës, por të gjithë ishin të bindur se do të protestonin shqiptarët për të shprehur solidaritet me “krijuesit e shtetit” dhe se ato protesta mund të bëheshin të dhunshme. Pjesëmarrësit shprehën frikën se udhëheqësit politikë shqiptarë mund të përdorin gjuhën e urrejtjes për të motivuar sulme të dhunshme ndaj qytetarëve serbë dhe pronave të tyre, si hakmarrje për natyrën e perceptuar antishqiptare të aktakuzave. Pjesëmarrësit deklaruan edhe se zyrtarët në Beograd do t’i përdorin paditë dhe vendimet e Gjykatës Speciale të Kosovës për të fituar pikë në luftën e tyre diplomatike kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës dhe për qëllime politike të brendshme.