Borusia e Dortmundit bën eksperiment me trukimet e ndeshjeve
Me manipulimet e ndeshjeve të futbollit që janë bërë gjithmonë e më prezente edhe në elitë, klubet e mëdha po bëjnë maksimumin që të evitojnë të përfshihen në skandale të tilla.
Një nga hapat është ai e identifikimit të menjëhershëm të lojtarëve të cilët mund të bien pre e ofertave të ndryshme nga organizatat kriminale që merren me manipulimin e ndeshjeve.
Ndaj për të identifikuar këta lojtarë, që në moshë të re, klubi i Borusia Dortmundit ka gjetur një mënyrë gjeniale.
Sipas të përditshmes gjermane “Kicker”, pak kohë më parë, në këtë klub është punësuar një aktor.
Nën udhëzimin e shefit të akademisë, Lars Rinken, ai ka kontaktuar jashtë fushës lojtarë të rinj, duke u kërkuar atyre që të trukonin ndeshje apo të bënin veprime në fushë që mund të favorizonin baste të caktuara (kartonë të verdhë, goditje këndi).
Në këtë mënyrë u studiua edhe sjellja e lojtarëve dhe sipas të përditshmes gjermane, eksperimenti social kaloi me sukses, pasi futbollistët e rinj kishin reaguar në mënyrën e duhur, duke lajmëruar edhe klubin për këto “oferta”.