'Përgjigjet' e Ramës për studentët

Nga Luçiano Boçi.

1 - Rritja e buxhetit me 5 % e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.

- Po, kollaj fare! Arsimin do ia japim me konçesion Vilmës. Normal, ku është Vilma ka lekë qeveria, se në fund të fundit juve do ua marrim nga xhepat, se ku do i gjejmë ne?! Të jeni të bindur se kjo, nga përgjysmim do ta bëjë falas fare, ju betohem. Si me chekup-in!

2 - Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.

- Po, e lehtë fare. Këtë punë e qan zyra e propagandës e Fugës, mjafton të besoni atë që ai thotë e shkruan. Madje ky është më i saktë dhe se INSTAT-i im.

3-Rritja nga 10 % në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

- Po mor po mor po! Dakort jam se deri atëhere do i kemi mbyllur universitetet publike dhe do i kemi kthyer në të pavarura publike, sipas kapitullit XII, ku ligjin, si tek privati, do e bëjë administratori.

4 - Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

- Po e madhe! Por këtë, mos iu ngeli hatri, do ia jap me tenderim të drejtpërdrejtë Cacit të Mesdhetarit dhe Gjylametit, se kjo ka dhe përvojë personale në këtë punë. E dinë vetë ata më pas se kë lenë dhe kujt ia këpusin kokën.

5 - Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

- Po! unë kam qenë shumë i mërzitur që nuk i kemi të gjithë freshistë në këto organe. Do t’i mbulojmë me 100% anëtarë të FRESSH-it,  senatet e bordet por dhe këshillat studentorë. Jam 100% ok.

6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)

- Po, po! Me këtë po merret firma offshore e Damianit dhe me përvojë amerikane, për të cilën do kalojmë 30 milion euro të tjera.

7 - Ndërtimi i një biblioteke me standarde europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

- Po! Kjo pothuaj është gati. Firma “Fusha” ka paraqitur një ofertë të pakërkuar për prishjen e Akademisë së Shkencave se është me qera aty, ku bashkë me ca kulla të larta ka në plan dhe një bibliotekë me 3D. Ligjin special e kemi bë me kohë gati.

8 - Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve.

- Po, e realizueshme, por më lejoni që këtë të fundit t’ia le amanet Linditës se ajo vdes për kërkimin shkencor.
Hëëëë si thoni?!
Doni apo s’doni?!