Meta ‘troket’ sërish: Vëmendje maksimale për të rinjtë, të frenojmë largimin e tyre

Presidenti Ilir Meta ka përcjellë një mesazh të fortë për qeverinë, shtetin shqiptar me të gjitha strukturat e tij, lidhur me të rinjtë.

Duke përkujtuar Ditën Ndërkombëtare të Emigrantëve, që është sot, Meta “troket” për vëmendje maksimale në edukimin dhe krijimin e mundësive për të rinjtë, që të frenohet largimi i tyre nga vendi.

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Emigrantëve, - shkruan Meta në Fb, - dua të risjell edhe njëherë në vëmendje porosinë e veçantë të Papa Franceskut, që të gjithë së bashku duhet të bëjmë çmos që Shqipëria të mos pësojë "dimrin demografik" të Europës. 

Me përkujdesje, përkushtim dhe vëmendje maksimale në edukimin, arsimimin dhe krijimin e mundësive më të mira për të rinjtë, të frenojmë largimin e tyre dhe t’ju mundësojmë ndërtimin e një të ardhmeje të sigurtë e të qëndrueshme në Shqipëri.”

Mesazhi i Presidentit Ilir Meta vjen në një kohë kur studentët shqiptarë në të gjithë vendin kanë bojkotuar mësimin prej 15 ditësh dhe po protetsojnë për të drejtat e tyre, duke filluar nga kushtet e jetesës.