Mourinho ndez supersfidën Liverpool-Manchester, bën ironi me Kloppin

Jose Mourinho me Manchester Unitedin do të tentojnë të dielën që të ndalin ecurinë pozitive të Liverpoolit, por sfida ka filluar që në konferencën e sotme për shtyp.

Tekniku portugez ka “shigjetuar” rivalin e tij te Liverpooli, Jurgen Klopp, duke theksuar se më shumë se loja e bukur, vlejnë titujt që fitohen.

“Mendoj se përtej gjithçkaje, titujt janë ato që vlejnë më shumë. Për më tepër, kur ke organikën e duhur për të fituar, por edhe kur e ke shpallur prej kohësh si objektiv”, deklaroi Mourinho, duke iu referuar pikërisht gjermanit, që nuk ka fituar ende asgjë në Premier League.

Gjermani ka humbur 2 finale të Ligës së Kampionëve dhe tashmë ka vënë si synim triumfin në kampionatin anglez, titull që mungon prej vitit 1990 në “Anfield Road”.

“Ndonjëherë mendoj se nuk është mirë ta thuash, por të humbësh kaq shumë finale, duket si një mallkim që të ndjek pas. Klopp ka shpallur si synim triumfin në Champions, ndaj të dielën ata do të bëjnë maksimumin për të fituar”, u shpreh Jose Mourinho.