Moratti: Juventinët duhet ta pranojnë që titulli i vitit 2006 i takon Interit

Ish-presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka thënë se tifozët e Juventusit duhet ta pranojnë verdiktin final të Gjykatës, që titulli kampion i sezonit 2005-2006 në Serie A i takon zikaltërve.

Të dy titujt e vitit 2004-2005 dhe 2005-2006 i janë hequr Juves si pjesë e skandalit të Calciopolit në verën e vitit 2006.

Derisa titulli i 2004-05 ka mbetur “pezull”, Skudeto e 2005-2006 i ishte dhënë Interit, të cilët përfunduan të tretët atë sezon pas Milanit (të cilët po ashtu ishin dënuar nga Calciopoli).

Juventusi që nga ajo kohë është në një betejë gjyqësore, por e kanë humbur këtë betejë gjatë ditës së sotme, pasi Gjykata e ka hedhur poshtë ankesën e tyre.

“Është normale, pasojë e asaj çfarë ka ndodhur”, tha Moratti për agjencinë e lajmeve “Ansa”.

“Në këtë rast, është mirë, gjithmonë do të jetë një Skudetto e garantuar. Tani, tifozët e Juventusit duhet ta pranojnë këtë gjë. Isha i sigurt që rasti do të shkonte kështu. Jam mik i mirë i presidentit të Juventusit, Agnelli, atij i kam thënë se duhet ta harrojnë këtë gjë”, theksoi Moratti.