E thotë hapur/ Nikolla: Dua të iki, por nuk po më lënë

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka mbajtur një fjalë të shkurtër sot në seancën e parlamentit.

Gjate gjithë fjalës së saj, Nikolla ka folur për ikje dhe ka mbajtur pikërisht një fjalim lamtumire.

Por ajo nuk tregon se kush po e mban në qeveri.

Në fakt duket qartë se fjala e saj ishte një mesazh i koduar i saj për studentët: Unë dua të iki, por po më mban kryeministri që të mos e drejtoni gishtin tek ai.

Pjesë nga fjala e Lindita Nikollës në Kuvend:

Në këto 5 vite mbyllëm 22 Universitete dhe hoqëm nga tregu dhjetëra dhe mijëra diploma pa vlerë. Por koha do të flasë. Akredituam ndërkombëtarësisht për herë të parë të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vend.

Studentët kanë të drejtë. A është problemi i arsimit tonë të lartë çmimi i dijes apo vetë cilësia me të cilën dija jepet? Ligji i ri ka krijuar kushte për një erë të re në arsimin e lartë, por ligji duhet zbatuar dhe kërkon kohë. Sot me studentët në protestë gjithkush ka të drejtë të tregojë gishtin, askush ndoshta nuk do të dëshironte të ishte në vendin tim.

‘Lindita Nikolla dil Nga Ministra, të kanë ardhur studentët dhe jo ushtria’ . Unë dola.

Po, studentet kanë të drejtë por ftesa për të zhvilluar një betejë më të vështirë është drejt tyre sot duke parë të vërtetën në sy përmes një dialogu për të transformuar cilësitë. Unë jam e gatshme të marr të gjithë përgjegjësinë.