Shah, 12-vjeçari Xhembulla kthehet nga Roma me medalje

Përfundoi dje në Romë, Festivali i 3-të Ndërkombëtar i Hapur "Roma Citta Aperta 2018".

Në seksionin B pa kufij moshe (-2000 elo ) ku garoi edhe djaloshi shqiptar Aleksandër Xhembulla,  morën pjesë 113 shahistë, kryesisht nga Italia por edhe nga disa vende të botës.

Aleksandri në bazë të rejtingut personal 1438 elo, startoi nga pozicioni 96/113 dhe në përfundim të raundit të nëntë me 5,5 pikë/9 të grumbulluara ( 4 fitore 3 barazime 2 humbje ) u klasifikua në vendet 18-32 (30) duke kapërcyer plot 66 vende kundrejt pozicionit startues mbi bazë rejtingu dhe lënë mbrapa 83 shahistë kryesisht italianë por edhe nga vende si Spanja, Brazili, Sllovenia, Gjermania, Singapori apo Holanda, tha instruktori kombëtar i FIDE, z. Arian Bllaca.

Aleksandri ia doli me sukses të lërë mbrapa në klasifikim rivalin e fortë holandez (U-12) Nanne Van Foreest 1611 elo (pinjoll i familjes së njohur të shahistëve holandezë), i cili trajnohet nga Grand Master!

Mes të rinjve pjesëmarrës në garë deri U-16 , A.Xhembulla u rendit në klasifikim në vendin e dytë mbas 16-vjeçarit italian A.Dangerio 1786 elo.

Nga lojtarët italianë të lënë pas në klasifikimin final nga Xhembulla veç të tjerëve bien në sy 9 shahistë me titullin CM (Kandidat Mjeshtër) Nacionale te FSI (Federazione Scacchistica Italiana).

Në rrafshin teknik, Aleksandër Xhembulla 1438 (ALB) bëri një garë personale me mesatare elo rating të kundërshtarëve 1696 elo duke performuar ndaj tyre në nivelin 1776 elo!

Si rezultat A.Xhembulla përmirësoi ndjeshëm Elo Rating Ndërkombëtar me plot +152 njësi.

Ky është variacioni elo më pozitiv mes 113 shahistëve garues!

Tashmë Aleksandri u ngjit në nivelin 1590 elo rating duke tejkaluar madje edhe pritshmëritë në realizimin e objektivave tona për këtë garë.

Në 9 ndeshjet e zhvilluara rendimenti me gurët e bardhë ishte 75% (3pikë/4) ndërsa me të zezat 50% (2,5/5).

Detyrat e vëna në lidhje me aplikimin e skemave agresive "pa kompromis" Aleksandri i realizoi me sukses të plotë.

Barazimet në raundet e para erdhën si pasojë e rrethanave të krijuara në ndeshje të luftuara mjaft ashpër dhe aspak si rezultat i aplikimit të sistemeve mbrojtëse ndaj kundërshtarëve,  në letra dukshëm superiorë.

Madje njerën prej tyre u detyrua ta pranojë për arsye pragmatiste për krizë të fortë kohe në dispozicion në një pozicion të fituar ( pasojë e mungesës së madhe të pervojës, e cila në raundin e tretë i shkaktoi humbjen e parë).

Për lojrat e zhvilluara me shumë kurajo, guxim dhe nivel të mirë, Aleksandri mori komplimenta nga një pjesë e kundërshtarëve me të cilët ai u përball.'

Instruktori Bllaca shtoi në përfundim: "Gjej rastin ta komplimentoj dhe falenderoj edhe unë Aleksandrin per zbatimin me rigorozitet të të gjitha porosive të dhëna para garës dhe përgjatë saj përmes këshillave e sugjerimeve teknike online (step by step) në të nëntë raundet.

Për rezultatin e lartë, Aleksandri fitoi edhe Medaljen e Artë të vendit të parë mes shahistëve me elo -1500." 

Foto nga momenti i premiacionit të shahistit tonë në ceremoninë e mbylljes së veprimtarisë në Romë.