River Plate fiton Copa Libertadores, mposht Bocën në finalen maratonë
Në “Santiago Bernabeu” të Madridit u luajt finalja e Copa Libertadores mes River Plate dhe Boca Juniors, shkruan Syri.net.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 1-0 të Bocës, me golin e shënuar nga Benedeto në minutën e 44-t.
Në fraksionin e dytë të lojës, shënohet goli i barazimit në minutën e 68-të. Aksion fantastik i Riverit me disa pasime dhe Pratto me një gjuajtje të saktë e dërgon topin në rrjetë.
Barazim 1-1 mbyllet edhe ndeshja e dytë finale, ashtu si e para që kishte përfunduar 2-2.
Në këtë kompeticion nuk merret për bazë goli në fushë kundërshtare dhe me rezultatin e përgjithshëm 3-3 duhet koha shtesë për të përcaktuar fituesin e derbit të përjetshëm mes “Të pasurve” (River Plate) dhe “Të varfërve” (Boca Juniors).
Koha shtesë nis keq për Bocën, pasi Barrios merr kartonin e dytë të verdhë dhe rrjedhimisht të kuq, duke e lënë ekipin e tij me një lojtar më pak.
Riveri mori në dorë frenat e lojës dhe në minutën e 109-të me një gjuajtje të fortë që përfundon në trekëndësh, Quintero kalon “Millionaros” në avantazh, 2-1.
Në minutat e fundit lodhja ndikoi te Boca, e cila shpresoi deri në fund, por ishte Riveri që shënoi dhe golin e tretë, duke fituar derbin e përjetshëm 3-1 dhe bëhet fituesi i ri i Copa Libertadores.
/ Florian Behlula / Syri.net /