Shehu: Rama të na thotë pse, pse u largua nga vendi në këto momente?!

Deputeti i PD-së, Tritan Shehu, ka parë përtej misterit që ka shoqëruar këto ditë, largimin e kryeministrit Edi Rama nga vendi, drejt Turqisë dhe ka ngritur pyetjen: Pse? Pse duhej të largohej me kaq ngut?!

Shehu shkruan: "A mundet që Kryeministri të mjegullojë me një foto të sotme nga Lezha, lajmin e djeshëm për largimin e tij nga vendi, dhe ai i shoqëruar po me foto?!

Kryeministri duhet të sqarojë se ku ndodhej në këto ditë protestash mbarëpopullore në vend, veçanërisht kjo mbas atij lajmi pothuajse zyrtar.

Nëqoftëse ka udhëtuar pikërisht këto ditë, duhet të sqarojë “pse”.

Nëqoftëse atij do t’i duhej të këshillohej për çfarë po ndodh në Shqipëri, këtë duhet ta bëjë me liderët e personalitetet e Perendimit dhe BE ku ne aspirojmë të shkojmë e standartet e të cilëve duhet të implementojmë.

Nëqoftëse në ate drejtim i janë “mbyllur dyert”, kjo është tragjike.

Nëqoftëse ka udhëtuar për shkaqe të tjera, është i detyruar të bëjë publike çfarë e shtyu kaq fort për të lënë vendin në këto momente, kur çdo drejtues tjetër perëndimor në një rast të tillë do të ishte a do të kthehej në zyrën e tij.

Së paku duhet të sqarojë zyrtarisht opinionin për të vërtetën dhe jo me një foto të hedhur.."