Zbulohet skema, ja si vidhej arka e shtetit në Hipotekën e Korçës. Akuzat

Zbardhet skema e ish-zyrtarëve të Hipotekës në Korçë i cili u arrestuan për korrupsion.

Arrestimi i katër ish-zyrtarëve të Hipotekës dhe një qytetari ka ardhur si rrjedhojë e hetimeve të Prokurorisë, e cila ka arritur të dokumentojë rreth 10 raste me shkelje në dokumentacion dhe parregullsi. Sipas burimeve nga hetimorët, ndërhyrjet në dokumentacion i përkasin periudhës 2015-2017.

Ish-drejtori i Hipotekës së Korçës, Leftjon Bardho, Ersil Gorari ishpunonjës, Erjon Arif dhe bashkëshortja e tij Arsidesa Hysi, e cila aktualisht mban pozicionin e zv.regjistrueses si dhe 65- vjeçari Andrea Zallëmi janë arrestuar me vendim gjykate, pasi dyshohet se kanë hartuar dhe falsifikuar dokumente, të cilat u shërbenin qytetarëve për t’u pajisur me certifikatë pronësie, raporton “Panorama”.

Në disa raste dyshohet se ndërhyrja është bërë në aktet e shitblerjes së pronave. Në kushtet normale dhe në zbatim të ligjit, transaksioni i shitjes dhe blerjes duhet të bëhet përmes kryerjes së veprimeve bankare. Por zyrtarët kanë lejuar kryerjen e pagesave me para në dorë, duke shkelur ligjin dhe duke bërë që shtetit të mos përfitojë 15 për qind të shumës mbi tatimfitimin.

Paratë që nuk shkonin në arkën e buxhetit përfundonin në xhepat e ish-zyrtarëve të Hipotekës së Korçës, të cilët si favor qytetarëve u ofronin procedura të përshpejtuara për kalimin e pronësisë nga shitësi te blerësi. Por, përveç kësaj skeme, në raste të tjera ata kanë hartuar dokumente fiktive për të mundësuar regjistrimin e pronave, të cilat rezultonin me probleme dhe nuk përfitonin certifikatën e pronësisë. E gjitha kjo bëhej në këmbim të parave.

Leftjon Bardho

Ish-drejtori i Hipotekës, Leftjon Bardho, regjistruesja Arsidesa Hysi dhe bashkëshorti i saj Erion Arif, i cili ka punuar më parë në Hipotekë, si edhe Ersild Gorari, po ish-punonjës i Hipotekës, dyshohet se në bashkëpunim me 65-vjeçarin Andrea Zallëmi kanë ndërhyrë në dokumentet e pronësisë, duke përfituar nga detyra dhe në këmbim kanë marrë shuma të konsiderueshme parash.

Për këto raste kanë qenë vetë qytetarët që kanë denoncuar ish-zyrtarët, pasi në këmbim të parave kanë marrë në duar dokumente që nuk kishin asnjë vlerë. Kjo, pasi ishzyrtarët kanë përpiluar dokumente fiktive për regjistrim pasurish, të cilat rezultonin me probleme në përfitimin e certifikatës së pronësisë.

Ndaj ish-zyrtarëve Leftjon Bardho, Ersild Gorari dhe Arsidesa Hysi rëndojnë akuzat e shpërdorimit të detyrës, mashtrimit, falsifikim i dokumenteve si dhe zhdukja dhe vjedhja e dokumenteve. Dy akuzat e fundit rëndojnë dhe mbi 36-vjeçarin Erjon Arifi. Ndërsa për Andrea Zallëmin, i cili ishte në rolin e sekserit, akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.