Presidenti Meta vlerëson me titullin e lartë kampionin e Europës, Briken Calja

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka vlerësuar me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” peshëngritësin Briken Calja “Për rezultatet e shkëlqyera si ‘Kampion i Europës’ në sportin e Peshëngritjes, duke shpalosur vlera të larta të një sportisti të talentuar; i suksesshëm në arenën kombëtare e ndërkombëtare”.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar autoriteteve vendore, sportistëve, kolegëve, familjarëve dhe miqve të kampionit shqiptar, gjatë një ceremonie solemne të organizuar në Shtërmen, vendlindjen e peshëngritësit, Presidenti i Republikës u shpreh se ky vlerësim do jetë motivim më i madh për karrierën e tij.

“Briken Calja, tashmë ka zënë një vend të rëndësishëm në plejadën e sportistëve më të talentuar dhe më të suksesshëm të vendit tonë. Jam i sigurt se ky vlerësim i sotëm, do të jetë një motivim akoma më i madh për karrierën sportive të Brikenit, në arritjen e rezultateve të larta në gara të tjera të rëndësishme ndërkombëtare”, deklaroi Presidenti.

Ndërsa në një status në “Facebook”, Meta thotë se sportistë si Briken Calja na nderojnë të gjithëve.

“Sportistë të kalibrit të Briken Caljes, Kampion i Europës dhe fitues i tre Medaljeve të Arta, na lumturojnë dhe na nderojnë të gjithëve. Ata janë ambasadorët tanë më të mirë, duke përfaqësuar denjësisht flamurin, popullin dhe kombin tonë nëpër botë. Shembulli i punës dhe i suksesit të tij është një burim frymëzimi, sidomos për fëmijët dhe të rinjtë e sotëm. Kënaqësi ta vlerësoja me Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’”, shkruan Presidenti Meta.